Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich do të përballen mbrëmjen e sotme në kuadër të gjysmëfinales së parë të UEFA Champions League. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Parc des Princes”, do të nisë në orën 21:00.
Në prag të këtij dueli ka folur para mediave edhe qendërmbrojtësi bavarez, Dayot Upamecano. Ky i fundit ka theksuar se mentaliteti fitues i ekipit do të jetë dhe në këtë ndeshje, edhe pse në stol nuk do të jetë trajneri Vincent Kompany, i pezulluar pë shkak kartonësh.
“Është një ndeshje e madhe për ne. Jemi plotësisht të përqendruar në lojën tonë. Sigurisht, duam të fitojmë këtu në “Parc des Princes”. PSG ka lojtarë të shkëlqyer dhe një skuadër të shkëlqyer. Por ne jemi plotësisht të përqendruar në lojën tonë dhe duam të fitojmë.
Është një ndeshje krejtësisht e ndryshme (nga ajo në nëntor), një gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve. Nuk po shikojmë të kaluarën dhe jemi plotësisht të përqendruar. Duam të fitojmë të dyja ndeshjet dhe do të bëjmë gjithçka për të fituar këtu. Mentaliteti ynë nuk do të ndryshojë vetëm sepse Vincent Kompany nuk është në stol.
Unë dhe Ousmane Dembele vijmë të dy nga i njëjti qytet. Është e pabesueshme që po takohemi përsëri në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Sigurisht, kemi luajtur kundër njëri-tjetrit më parë, por nesër është një ndeshje e ndryshme. Secili prej nesh është gati të luftojë për ekipin e tij.
Ne kemi luajtur tashmë kundër Parisit dhe i njohim ata. Është shumë e vështirë. Ousmane e merr topin në të gjithë fushën. Është si ne me Harry-n. Ata përpiqen ta destabilizojnë kundërshtarin me shumë lëvizje. Do të përpiqemi ta përballojmë këtë. Ata kanë një ekip kaq të mirë, nuk kanë vetëm Ousmane-n, por edhe shumë lojtarë të tjerë. Janë një ekip shumë i plotë.
Duhet të mbrohem kundër Michael Olise në stërvitje dhe është tepër e vështirë. Ai mund të bëjë pothuajse gjithçka me topin. Kur e ka topin, mendon se mund të më kalojë. Ai punon jashtëzakonisht shumë. Ai është fqinji im. Kur i them se çfarë duhet të bëjë pas stërvitjes, ai thotë se do të punojë. Ai gjithmonë dëshiron të përmirësohet. Jam i lumtur që luaj me të në ekipin kombëtar dhe në Bayern”, tha Upamecano në konferencën për shtyp.
