
Pas fitores së madhe në derbin e Italisë përballë Interit të shtunën, Juventusi do të rikthehet në fushën e lojës ditën e nesërme. Bardhezinjtë do të presin në orën 21:00 Borussia Dortmundin në Torino për sfidën e parë të Champions League.
Në prag të këtij takimi të rëndësishëm, trajneri i Juventusit Igor Tudor ka dalë në konferencë për shtyp.
“Një garë e re po fillon, një garë që të gjithë lojtarët e shijojnë dhe ëndërrojnë ta luajnë. Është e bukur dhe interesante, të gjithë mezi e presim, po përgatitemi për të si për çdo ndeshje tjetër.
Borussia Dortmundi? Ata janë një ekip shumë i fortë, si në Gjermani ashtu edhe në Europë. Do të jetë krejtësisht ndryshe nga miqësorja parasezonale. Do të jetë fantastike të luajmë ndeshjen e parë të Champions League në shtëpi.
A do të jetë aty Conceicao? Do ta vlerësojmë sot, ai bëri disa hapa dje me ne dhe nuk ndjeu asnjë dhimbje. Do ta vlerësojmë sot dhe do të vendosim nesër në mëngjes”, u shpreh Tudor.