
Bayern Munich do të luajë pasditen e sotme në shtëpi përballë Wolfsburg, në kuadër të javës së 33-të të Bundesligës. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Allianz Arena”, do të startojë në orën 17:30. Para kësaj sfide, para mediave ka folur trajneri i bavarezëve, Thomas Tuchel. Ky i fundit ngre hije dyshime për shkak se përmend përciptazi se ka shanse që të qëndrojë te Bayerni edhe sezonin e ardhshëm.
“Nuk e di nëse do të rinovoj me Bayernin. Ndaj Real Madridit në fushë nuk kishim një identitet të qartë. Qëllimi ynë tani është lufta për vendin e dytë të Bundesligas dhe të gjithë do të japin maksimumin”, tha Tuchel.
Më pas trajneri gjerman u ndal te formacioni që do të skicojë në ndeshjen e sotme. Tuchel tregon se shumë sulmues që ishin titullarë ndaj Realit, sot nuk do të jenë as në fushe dhe as në pankinë.
“Sulmuesit që ishin titullarë kundër Real Madridit nuk mund të luajnë të gjithë nesër. Kane ka ende probleme me shpinën. Megjithatë, Gnabry është jashtë dhe Sane nuk mendoj se do të luajë, por do ta shohim në fushë në dy ndeshjet e fundit. Ai aktualisht është duke marrë përsëri trajtim për lehtësimin e dhimbjeve. Edhe Jamal Musiala na tha se ka probleme. I dhemb shumë gjuri. Ai me siguri nuk do të jetë atje nesër dhe ndoshta nuk do të jetë as në ndeshjen e fundit”, është shprehur më tej Thomas Tuchel.