Mbrëmjen e djeshme Partizani është eleminuar nga Champions League, duke u mundur nga Qarabag me rezultatin 2-0, që ishte edhe rezultati i përgjithshëm i këtij takimi, pasi sfida e parë në "Selman Stermasi" u mbyll me rezultatin 0-0.
Sot mund të flisnim ndryshe, nëse Solomon, sulmuesi i të kuqve, i cili mbrëmë e nisi ndeshjen që nga minuta e parë, do e kishte dërguar topin në fundin e rrjetës, në momentin kur u shfaq përballë portierit, por gjuajtja e tij u ndal, edhe pse tentoi në dy raste brenda pak sekondave për të shënuar golin. Nëse topi do të kishte shkuar në rrjetë dhe Partizani kualifikohej për në raundin tjetër, emri i tij do të "ngulitej" mirë në mendjen e të gjithë eopinionit publik, sepse Partizani do të kalonte një raund në Champions League. Goli mund të kthehej në një gol historik.
Mirëpo, rruga europiane nuk përfundon këtu për Partizanin, pasi do të luajë në Europa League përballë Sherif Tiraspolit dhe Solomon ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social "Instagram", ku shkruan se ata tashmë kanë një tjetër mundësi dhe mund t'ja dalin këtë herë.
"Ndeshje e vështirë, por faleminderit Zotit për gjithçka, për një tjetër mundësi që ne morëm për të bërë një ndryshim. Ne mund t'ja dalim", shkruan Solomon.
