
Nga Denis BAJRAKTARI
Ndeshja e fundit e sezonit të kaluar Vllaznia – Tirana mund të cilësohet pa frikë si ndeshja e fundit edhe për tifo-grupin “Vllaznit Ultras”. Themi kështu, pasi tifo-grupi më i vjetër në Shqipëri rrezikon shkrirjen. E kush e ka fajin për këtë ? Natyrisht presidenca e Vllaznisë, Bashkia Shkodër.
Që kur Bashkia Shkodër e mori presidencën e Vllaznisë, tifozët shkodranë gjithmonë kanë qenë kundër saj. Jo se kishin inate ndaj këtij institucioni, por e dinin mjaft mirë se nuk do të ishte në gjendje të mbante një ekip me emër në kampionatin shqiptar, siç është Vllaznia.
“Vllaznit Ultras” e kanë mbështetur Vllazninë në shi dhe në borë, e kanë mbështetur edhe kur atëherë Bashkia bëhej pengesë për to, e kanë mbështetur edhe kur u është dashur të udhëtonin me kursimet e tyre në stadiumet e tjera të Shqipërisë për të përkrahur Vllazninë, e kanë mbështetur në çdo moment pa asnjë lloj përfitimi. Shpërblimi që morën nga skuadra dhe Bashkia Shkodër ishin vuajtjet dhe ankthet e qëndrimit në Kategorinë Superiore.
Sonte u ndje mungesa e tyre. Me të vërtetë që në stadium ishin rreth 5.000 tifozë, por mungesa e “Vllaznit Ultras” bënte që stadiumi të dukej që kishte më pak tifozë. Postimi i fundit i këtij grupi në faqen e tyre zyrtare në “Facebook” i përket datës 3 Korrik. Pra, më shumë se 2 muaj që ky grupim qëndron në heshtje dhe askush nuk reagon. “Lufta për të qëndruar në Superiore prej disa vitesh e ekipit të Vllaznisë dhe shkatërrimi i basketbollit kanë “lodhur” më në fund “Vllaznit Ultras”.
Nëse partitë politike do të organizonin mbledhje do të shihnim mjaft të rinjë në grupimet e tyre, ndërkohë kur vjen puna tek Vllaznia dhe për të ardhur në stadium blejnë disa paketa më farë dhe qëndrojnë në heshtje gjate gjithë 90-minutëshit. Kjo nuk është tifozeria e Vllaznisë, këto nuk janë tifozët e Vllaznisë. Ishin “Vllaznit Ultras”, por ndoshta nuk do të jenë më….