
Edhe pse futbolli në vend është ndërprerë për shkak të Covid-19, idetë dhe marrëveshjet për sponsor të rinj vijnë nga Kategoria e Dytë. Klubi i Tomorit që militon në grupin B të kësaj kategorie i ka idetë e qarta, teksa kërkon ngjitjen më lart dhe kjo varet sigurisht nga ana financiare. Pjesa më e madhe e financimit vjen nga Bashkia e Beratit, që është në diskutime për të afruar një sponsor, veç donatorëve të jashtëm që aktualisht kontribuojnë në ekip.
Kështu, kryebashkiaku Ervin Demo po sheh këtë mundësi për të pasur një ekip pretendent sezonin e ardhshëm. Vera është paracaktuar për diçka të tillë, teksa shpresojmë që Coronavirusi të mos ketë ndryshimin e strategjisë. Beratasit po bëjnë mirë këtë edicion, teksa kryesojnë në Kategorinë e Dytë grupi B. Veç afrimit të sponsorit (emri i të cilit nuk bëhet ende publik), në Berat po shohin edhe rregullimin e infrastrukturës për ekipin A dhe moshat.