Në Fier nuk është bërë asnjë lëvizje për sezonin e ri. Skuadra është në ajër, ndërsa drejtuesit ende nuk kanë përcaktuar datën e nisjes së përgatitjeve. Stafi teknik nuk ka kontrata, gjithashtu mbetet përcaktimi i trajnerit të ri, i cili do të përzgjedhë ndihmësit për sezonin e ri.
Trajneri Artan Mërgjyshi me ndihmësit e tij janë larguar, gjithashtu dhe futbollistët ndodhen me pushime. Por, kjo situatë nuk do të zgjasë më tepër. Të hënën pritet që kryetari i bashkisë, Armando Subashi dhe drejtuesit e klubit të takohen për të vënë piketat për sezonin e ardhshëm. Bashkia e qytetit zotëron 25% të aksioneve, ndërsa ka një pjesë të rëndësishme të investimit në klub. Sa i përket palës tjetër, ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë për sezonin e ardhshëm që kjo skuadër do të jetë në Kategorinë e Parë. Në këtë mbledhje do të diskutohet për sezonin e ri, ku do të përcaktohet trajneri dhe stafi i tij, gjithashtu dhe lëvizjet që do të bëhen në merkato.
Skuadra nuk ka asnjë lëvizje, pasi të gjithë lojtarët janë nën kontratë, por nuk përjashtohen mundësitë e largimit të disa prej futbollistëve me moshë të madhe. Klubi ndjek strategjinë e rritjes së elementit të ri, ndërsa edhe merkato pritet që të përqendrohet te lojtarët që cilësohen talente. Mbi të gjitha, synimi i fierakëve çdo vit është Superiorja.