
Nga Anila Basha
Nuk ka paqe te politika derisa të rrëmbejë fitoren e djemve të kombëtares shqiptare ditën e djeshme me Rumaninë, apo të rrëmbejnë entuziazmin e miliona shqiptarëve anembanë botës për këtë ngjarje historike të futbollit shqiptar. “Forca shqipe” e përdorur nga kryeministri, apo “Para shqipe” siç shkruan kreu i opozitës, nuk janë slogane që çojnë përpara ëndrrën e shqiptarëve për kualifikimet në këto Euro2016. 11 djemtë në fushë, dhe 11 të tjerët jashtë saj, nuk janë vetëm herojtë e mbrëmjes së djeshme, janë heronjtë e Shqipërisë. Atë që politikanët nuk arrijnë ta bëjnë 26 vite me radhë, këta çuna, e realizuan me zemër dhe me dëshirë. Sepse, kaq pak sa është investuar për sportin në tërësi gjatë këtyre viteve, vështirë se do t’ua shkundë petkun e pluhurosur nga harresa e viteve kaluar sherresh banale politike, vendimmarrësve të këtij vendi. Dhe këtu dalim te problemi: Ata djem nuk kanë nevojë për pasaporta diplomatike. Janë ambasadorët e padeklaruar zyrtarisht. Ata janë lojtarë që luajnë në Evropë e botë prej vitesh, dhe nuk kanë nevojë për të mos kaluar në pikat e kontrollit kufitar apo sallat VIP të aeroporteve me nje dokument te ndryshëm nga shqiptarët e tjerë. Pasaportat diplomatike le t’ua lëmë atyre që kanë për detyrë të rregullojnë imazhin që prish politika e pagdhendur ngecur deklaratave, presjeve, “edhe”-ve, “ose”-ve e gjithçka tjetër. Ata djem dhe stafi i tyre mbështetës, duke filluar nga kreu i Federatës, trajneri Gianni de Biassi dhe me radhë të gjithë lojtarët sot janë në qiellin e shtatë; nesër do të zbresin në aeroport, tapetin shtruar kuq e zi, makina veshur me flamur dhe njerëz që ndihen krenarë për ta dhe do të rifillojnë aktivitetin njëlloj si më parë, jashtë, apo larg këtij kompeticioni normal. Por do ta gjejnë veten këtu mes diskutimesh, ku trajnerët (jo vetëm të futbollit) vrasin ditën duke lypur lekët e prindërve për të trajnuar fëmijët e tyre në orare jashtë mësimit; në futboll, në basketboll, në volejboll, vrapim, mundje, boks etj. Do vijnë në terrenin shqiptar, ku mungon infrastruktura serioze për të nxjerrë dhe gjeneruar talentet e reja që do të marrin stafetën. Sepse investimi nuk bëhet në fundoren e vet, në dy apo tre stadiumet kryesore (që gjithsesi është gjëja e duhur), por fillon nga shkollat, palestrat, sallat e forcës, terrenet sportive të qyteteve, dhe jo vetëm për futbollin. Këta djem do të vijnë në Shqipëri apo në vendet ku luajnë, dhe do të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë: të luajnë futboll. Por nuk e dinë se ende ka diskutime në vend për “Ligjin për Sportin”, i cili është bërë e ribërë disa herë dhe askush nuk i vendos dot pikat mbi “i” për shkak të debateve ku politika dhe biznesi herë bashkohen e herë ndahen sa herë i vjen për shtat njërës apo tjetrës palë. Aty ku fillon diskutimi për privatizimin e klubeve, aty interesat katapultohen sa në klube të majta, aq edhe në të djathta. Në fund, futbolli vuan. Ka nevojë për politika të reja për sportin, atë që u premtua me “programin e rilindjes së sportit” dhe që deri tani, nuk ka ecur ashtu siç pritej e parashikohej. Premtimet për një sport cilësor, për vëmendje të qeverisë ndaj talenteve, për një edukim të shëndetshëm që nga kopshti, për vendosjen e specialistëve të sportit në çdo drejtori rajonale arsimore nuk janë bërë. E ndoshta është koha, që në këtë fazë kur futbolli rihapi debatet dhe diskutimet se çfarë mund të bëhet më tepër, le të fillojë puna për krijimin e terrenit të ngritjes së veprimtarive sportive. Sepse, jo gjithçka preket vetëm nga euforia e momentit pa politika afagjate. Ah dhe një gjë të fundit, Kombëtarja e vajzave në Volejboll, arriti në fundjavë një fitore historike me Poloninë, 3 me 2, me sete. Vajzat e trajnerit Altin Mërtiri sfiduan me meritë Poloninë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Por nuk pati për këto vajza asnjë status në facebook e rrjetet e tjera sociale; asnjë telefonatë me premtime; dhe asnjë titull në faqen e parë të gazetave. Ato vajza bënë një detyrë po aq të rëndësishme sportive sa edhe djemtë e kombëtares. Duhet t’ia kujtojë dikush kryeministrit, ministrit, kryetarit të opozitës, komisionit parlamentar të sportit, që t’u çojë edhe atyre një mesazh të fortë mbështetjeje.