Kukësi U-21 arriti të fitonte në shtëpi kundër Tiranës U-21, ndeshje e vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë Superiore. Në këtë takim shkëlqeu për vendasit Marjus Kola. Sulmuesi i verilindorëve arriti të realizonte 2 gola duke mposhtur 2-1 bardheblutë e drejtuar nga trajneri Gentian Muça.
Në 20 takime, Kola ka arritur të shënojë 7 gola dhe ka dhënë edhe 9 asiste. Në sfidat e fundit forma e tij ka ardhur duke u rritur. Në prononcimin e dhënë pas përballjes me bardheblutë, lojtari i Kukësit ka thënë shkurtimisht për mikrofonin e RTSH Sport:
“Jam shumë i lumtur për këtë fitore që arritëm. Gjithashtu edhe shënova. Kemi kaluar një periudhë të vështirë dhe tani shpresoj të rikthehemi te rezultatet”.
Pas emërimit të Oltijon Kërnajës në krye të kuksianëve 21-vjeçarë, puna e tropojanit ka nisur të japë frytet e veta. Ndërkohë po evidentohen elementët e rëndësishëm, siç është edhe Kola, që në një të ardhme t’i shërbejnë skuadrave të para.