
Shqipëria më 5 shtator do të presë Maqedoninë në "Loro Boriçi", ndërsa mësohet se aktualisht janë shitur rreth 8000 bileta. Jo pak, por mbeten edhe gjysmat që stadiumi i rikonstruktuar i Shkodrës të mbushet në të gjithë kapacitetin e tij, duke qenë se kombëtarja i ka kënaqur të gjithë me atë që dha në Francë.
Por, nuk do të jetë çudi nëse tifozët nga Kosova do të mungojnë në këtë takim. Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë Kosova do të luajë kundër Finlandës për ndeshjen e parë zyrtare si pjesëmarrëse në kompeticionet e FIFA-s dhe UEFA-s.
Këtë ditë do të shihet nëse kosovarët që përkrahin Shqipërinë do të jenë të njejtë në shkallët e stadiumit "Loro Boriçi", apo do të preferojnë që të qëndrojnë në Kosovë për të ndjekur nga ekrani i televizorit takimin e përfaqësueses së tyre. Ky do të jetë test gjeneral për të parë dhe të ardhmen e mbështetësve të kuqezinjve.