
Omer Bunjaku është drejtori i ri sportiv i Ballkanit. Është vetë skuadra dardane që zyrtarizon lajmin i cili ishte në qarkullim prej 2 ditësh.
Ballkani ishte ende pa një drejtor sportiv pas largimit të Nderim Nexhipit i cili vendosi të vijojë karrierën te Manisa në Turqi. Një post tejet i rëndësishëm sidomos në këtë periudhë merkatoje ku një klub si Ballkani kërkon të përforcojë skuadrën për të ruajtur titullin kampion e për të garuar denjësisht në garat europiane.
Bunjaku ka mbajtur këtë post te skuadra e Shkupit, tek të cilët ka arritur të kryejë disa lëvizje shumë të mira duke sjellë lojtarë të panjohur për t’i shitur më pas me çmime të frytshme për arkat e bardhebluve. Tashmë, nën ‘kollaren’ e suharekasve do të tentojë të bëjë të njëjtën gjë.