Malazezët janë në modë në Shkodër, kështu ka qenë edhe më parë, ku shumë lojtarë nga shteti fqinj kanë luajtur për ngjyrat kuqeblu. Megjithatë, përpos traditës së krijuar, tashmë vijnë shumë lojtarë për provë te Vllaznia.
Ditën e djeshme ka ardhur mesfushori me tipare sulmuese i Zetës, Marko Darkoviç, i cili është 29 vjeç dhe ka karrierë të pasur. Ka luajtur për Ujpest në Hungari, Mladost Velika në Bosnje dhe Pakhtakhor në Uzbekistan, gjithashtu dhe për ekipet malazeze. Njohjet e tij me portën nuk janë të mirëfillta, pasi në sezonin e fundit nuk ka shënuar asnjë gol.
Prurja tjetër është portieri Nikola Delibashiç, i cili vjen nga kategoritë e ulëta të futbollit malazez. Portieri do të vihet përballë Agoviç, ku do të sfidojnë njëri-tjetrin për një kontratë me kuqeblutë.