
Me 26 pikë diferencë e ka mposhtur Vllaznia ekipin e Teutës që nuk mundi të rrezistojë dot por u dorëzua në finalen e katërt të basketbollit për meshkuj. Kështu, 102-76 ishte rezultati përfundimtar i vulosur në Durrës, në pallatin e sportit “Ramazan Njala” duke e mbyllur në 3-1 përballjen e serisë së finaleve.
Ky ishte i treti titull kombëtar radhazi për Vllazninë që jo vetëm po shpalos një basketboll të mirë por edhe po afron gjithnjë e më shumë sportdashësit e lojërave me dorë duke e ngjallur në një farë mënyre një traditë të bukur të këtij sporti.
Po kështu edhe për ekipin durrsak duhen thënë fjalë të mira pasi po i jep bukuri garës në basketboll si në garat e meshkujve por po ashtu dhe të femrave. Merita të mëdha në këtë triumf ka trajneri i Vllaznisë, Bledar Gjecaj ndërsa spikaten Allen, Bekteshi, Ndoja, Bërdica Shabani, Arra, Taraboshi, Faslija, Gjonaj e vëllezërit Lekndreaj.