
Marsel Ismajlgeci u transferua te Zrinjski Mostar nga Tirana këtë merkato janari me kroatët që do të paguajnë 150 mijë euro për shërbimet e mbrojtësit të majtë. 23-vjeçari është rritur te bardheblutë si pjesë e akademisë dhe largohet tashmë si një kapiten me 3 trofe të fituara dhe lë ekipin në vendin e parë. Ismajlgeci është takuar me ekipin sot ku i ka dhënë lamtumirën shokëve të skuadrës dhe foli për median e klubit.
“Erdha në klub si fëmijë dhe po iki si kapiten me një eksperiencë të jashtëzakonshme në klubin më të madh në Shqipëri duke fituar shumë tituj që nga moshat. Dy tituj kampion me ekipin e parë dhe një Superkupë si kapiten dhe jam shumë krenar që isha pjesë e këtij ekipi.
Falenderoj të gjithë trajnerët që kanë pasur besim te unë dhe aftësitë e mija që fëmijë dhe falenderoj sigurisht trajnerin Shehi që kam mësuar pafundësisht prej tij. Gjithashtu falenderoj presidentin Refik Halili që më ka mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve që kam qenë pjesë e Tironës. Falenderoj tifozët që na kanë mbështetur në çdo shkallë stadiumi. Ju uroj sa më shumë fitore dhe trofe. Forca Tirona!”-u shpreh Ismajlgeci.