Ingurimi i stadiumit “Elbasan Arena” u bë me një këngë të re që pak vetë e kishin dëgjuar, por që pas më pak se dy vitesh askush nuk do ta mendonte se atë do ta dëgjonin 20 milionë njerëz. Normalisht, të gjithë kuqezinj! Kënga e Florian Mumajesit dhe Elvana Gjatës me titullin “Kuqezi” tashmë është kthyer në hit për stadiumet e Francës, aty ku Shqipëria ka nisur të hedhë hapat drejt historisë së madhe.
Të kalosh në një rrugë me gjatësi 50 metër, mund të quhet e pabesueshme nëse nuk e dëgjon këtë këngë. Në club-e, makina dhe në çdo shtëpi po dëgjohet “Kuqezi” që tashmë është hit në Shqipëri dhe kudo ku ka shqiptarë. Ajo po thyen rekorde edhe në “youtube”, ku ka arritur 20 milionë klikime, ndërsa vazhdon të rritet nga minuta në minutë.