
Klubi i Partizanit është në prag të ndërmarrjes së një vendimi drastik për fatin e ndeshjeve të fazës play-off në Europa League, ku shorti i ka vendosur përballë rusëve të Krasnodar.
"Ua kemi bërë me dije UEFA-s, Federatës Ruse të Futbollit dhe klubit të Krasnodarit se ne nuk do të udhëtojmë drejt Rusisë në rast se dy futbollistët tanë Ramadani dhe Ibrahimi nuk pajisen me viza. Ne penalizohemi rëndë nga heqja e mundësisë së aktivizimit të dy futbollistëve tanë titullarë, ndaj institucionet e lartpërmendura duhet të mendojnë t'i japin zgjidhje këtij problemi në rast se duan që ndeshja të zhvillohet", ka thënë për "Panorama Sport" sekretari i përgjithshëm i Partizanit, Gerald Burba.
Nuk dihet se sa serioz është ky kërcënim që vjen nga klubi i Partizanit, apo dhe çfarë penalitetesh rrezikohen nëqoftëse merret një vendim i tillë.