
Klubi shqiptar ka prezantuar zyrtarisht Ardit Hilën. Mesfushori i larguar nga Elbasani do të vazhdojë karrierën te Prishtina e Re.
Klubi nga Kosova ka postuar në rrjetet sociale momentin e firmës në kontratë të lojtarit që la Elbasanin. Hila kishte kohë që ishte në pikëpyetje nëse do të vazhdonte me elbasanasit dhe tekniku Gvozdenovic i pyetur në OraNews disa ditë ditë pasi kishte marrë drejtimin e verdhebluve, theksoi dëshirën për ta mbajtur në ekip futbollistin cilësor.
Skuadra nga Prishtina shfrytëzoi momentin duke siguruar shërbimet e Arditit, i cili ka eksperiencë të mëparshme në futbollin dardan. Kampion dikur me Partizanin, Ardit Hila ka fituar Kupën me Prishtinën, teksa tani do të luajë në ekipin tjetër të kryeqytetit.
Ish-i i Elbasanit është aktivizuar dhe me Gjilanin në AlbiMall Superliga. Mesfushori shihet si një përforcim i madh për një klub të Ligës së Parë.