
Florian Përgjoni i ka dhënë “duart” përfundimisht Tiranës, pasi ka zgjedhur të mos e rinovojë kontratën me klubin. Ky njoftim ka ardhur përmes rrjeteve sociale të futbollistit në fjalë.
Vlen të theksohet se Përgjoni në edicionin e fundit ishte edhe kapiteni i Tiranës. Ai numëron në total 138 ndeshje, ndërsa pozicioni që atij iu atribua më tepër ishte si mbrojtës i majtë.
Postimi i Përgjonit:
“Pas katër sezonesh të jashtëzakonshëm me fanellën bardh e blu, ka ardhur momenti të mbyll një kapitull shumë të rëndësishëm të karrierës time. Që kur u bëra pjesë e këtij klubi, kam jetuar çdo moment me përulësi dhe me pasion të pastër; ndjeva peshën e brezave, historinë, legjendat e këtij klubi.
Faleminderit që më keni bërë të ndiej se nuk po luaj vetëm për një skuadër, por për një qytet. Dua të falënderoj Klubin e Futbollit Tirana. Dua të falënderoj bashkëlojtarët e mi. Stafin teknik për mbështetjen dhe për punën e palodhur. Trajnerët me të cilët kam pasur fatin te punoj gjatë këtyre viteve.
Presidencën dhe drejtuesit e klubit për mundësinë dhe besimin e vazhdueshëm. Dhe mbi të gjitha, një falënderim nga zemra shkon për tifozët bardh e blu për çdo suport dhe duartrokitje. Zemra e këtij klubi! Kjo përvojë më ka rritur si futbollist dhe si njeri.
Ta përfaqësoja këtë klub si kapiten këtë sezon ka qenë një nder dhe përgjegjësi që do ta mbaj përherë me krenari. Faleminderit për çdo emocion që më keni dhuruar.KF Tirana do të mbetet përgjithmonë pjesë e imja Nuk them lamtumirë, them thjesht: “Mirë u pafshim” ! Me shumë mirënjohje dhe respekt, Florian Pergjoni”.
