
Vllaznia ka nisur një “luftë” me Bashkinë Shkodër dhe kjo për shkak të një koncerti që do të zhvillohet në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”. Sipas klubit shkodran, ky koncert do të zhvillohej paautorizim.
Ndërkohë që presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi dhe klubi kanë ngritur një kallëzim penal për Drejtorin e Drejtorisë së Kulturës z. Pandi Laço si dhe Drejtoreshës së Kulturës, znj.Sara Smaja.
Mirëpo, Vllaznia nuk po ndalet, teksa së fundmi ka publikuar edhe një shkresë zyrtare të FSHF-së, e cila i jep të drejtë pikërisht klubit të futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit në shkurt të këtij viti i kishte dërguar letër zyrtare Bashkisë Shkodër, duke kërkuar që stadiumi “Loro Boriçi” të jetë në kushte dhe standarde të kërkuara nga UEFA.
Kjo për shkak se në vitin 2027, Shqipëria në bashkëpunim me Serbinë do të organizojnë Euro U21. Madje, për këtë letër ka qenë në dijeni edhe presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.
POSTIMI I KLUBUT TË VLLAZNISË:
Në lidhje me polemikat e krijuara së fundi për stadiumin "Loro Boriçi" dhe funksionin që ai duhet të luajë, për transparencë dhe informim të opinionit sportiv, po publikojmë shkresën zyrtare që FSHF i adresoi pak muaj më parë Bashkisë Shkodër duke i kujtuar se nuk mund të ketë devijime nga projekti sportiv i destinacionit të këtij impianti.