
Vllaznia u mposht sot në shtëpi 3-2 nga Dinamo, por ai që la gjurmë të padiskutueshme ishte Flori Spahija. I futur në fushë si zëvendësues, shtatlarti shkodran shkëlqeu duke treguar se është vërtetë një xhevahir për trajnerin Thomas Brdariç.

Në minutën e 70-të, ai u hodh në fushë në vend të Deliut. 21-vjeçari tregoi maturi dhe altruizëm me topat e shpërndarë për shokët e skuadrës. E pikërisht në fundin e takimit, asistoi për Mehdi Çobën që nuk e kishte të vështirë të çonte sferën në rrjetë.
E për të mbyllur një mbrëmje speciale në aspektin personal, ishte Spahija që shkurtoi diferencën në 3-2. Edhe pse kuqeblutë u mposhtën, shkëlqimi i mbrojtësit është një ogur pozitiv për të ardhmen e ekipit shkodran.