 
Superiorja deri më tani ka zhvilluar 9 javë kampionat, teksa edhe shumë të tjera janë në radhë. Por deri në këtë pikë, Vllaznia vazhdon të kryesojë në Superiore pavarësisht humbjes së marrë kundër Flamurtarit.
Pas fitores së fundit një “hov” të madh ka marrë Egnatia, duke marrë shkak e nga humbja e Vllaznisë. Rrogozhinasit kanë mundur të ngjiten të dytët në tabelën e klasifikimit. Kampionët aktualë padiskutim janë skuadra e momentit në Superiore, teksa prej javësh në kampionat nuk e njohin “fjalën” humbje.
Jo pa arsye Vllaznia e Egnatia janë dy ekipet e kreut në tabelën e klasifikimit, ku vetëm 1 pikë bën diferencën. Shkodranët janë ekipi që kanë shënuar më shumë gola gjatë 9 javëve. Plot 15 herë e kanë dërguar topin në rrjetën e kundërshtarve duke pasur kështu edhe sulmin më të mirë në Superiore. Asnjë skuadër tjetër në kampionat nuk ka mundur të shënojë kaq shumë gola, teksa me 4 gola më pak ndodhen Elbasani dhe Dinamo, saktësisht vendi i 3-të dhe 4-të i “Final – Four”.
Ndërkohë rrogozhinasit nga krahu tjetër mbajnë “stekën” larg për mbrojtjen më të mirë. Kampionët kanë pësuar 4 gola gjatë 9 javëve kampionat, duke qenë mbrojtja më e mirë deri tani. Po kaq gola ka pësuar edhe Dinamo, ndërsa më pas vjen Teuta e vendit të 5-të.
Ndërkohë ekipi që ka pësuar më shumë gola është Tirana që ndodhet në vendin e parafundin n klasifikim, ndërsa më pas renditen Flamurtari dhe Partizani për mbrotjet më të këqija. Sa i takon sulmit më të keq deri më tani, këtë “titull” e mban Partizani me vetëm 4 gola të shënuar.
 
 
                                 
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                       
 
                			                        
                			                        
                			                       