Elbasani – Dinamo ishte një nga supersfidat e javës së 21-të të Superiores, duel ky që nuk ka kaluar pa kontestime. Skuadra e Ivan Gvozdenovic triumfoi 2-0 në “Elbasan Arena”, por ekipi i Ilir Dajës kanë pretendimet e tyre për gjykimin në këtë sfidë.
Rasti i ndërhyrjes “horror” ndaj lojtarit të dinamovitëve dhe mos ndëshkimi me karton të kuq të futbollistit të Elbasanit dhe rasti i golit të parë të tyre, kontestohen fort te “Blutë”. Majde klubi ka reaguar publikisht nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ku kërkon drejtësi dhe se gabime të tilla po përsëriten ndaj Dinamos.
“Reagim!
Klubi FC Dinamo City dënon gjykimin e ndeshjes së sotme, me kryesor Juxhin Xhajën. Pamjet ku skuadra jonë dëmtohet janë shumë të qarta.
Rasti më flagrant është ndërhyrja horror ndaj lojtarit tonë Ismaili në fundin e pjesës së parë. Xhaja me stemën e FIFA-s dhe çuditërisht edhe VAR-i mbyllin sytë…
Ndjejmë detyrimin të reagojmë publikisht, duke qenë se gabimet flagrante të gjykimit kundër klubit tonë, janë të përsëritura.
Çdokush mund të gjykojë vetë nga këto pamje. Për t’u përmendur është dhe rasti i golit të parë të kundërshtarit, ku ka një faull evident ndaj Nanit.
FC Dinamo City kërkon vetëm drejtësi”, ka shkruar klubi dinamovit.
