
Një nga polemikat e derbit të sotëm mes Tiranës dhe Partizanit që përfundoi në barazim pa gola, ka qenë vendim i VAR në minutën e 32-të. Aty sistemi i VAR vendosi që të anullonte autogolin e shënuar nga Sembene i Partizanit.
Pas verifikimit të gjatë u vendos se lojtari i Tiranës kishte qenë në pozicion të parregullt. Eksperti i arbitrimit, Klajdi Kola ka sqaruar në studion e “Rubrikës Sportive” se përse vendimi për të anulluar golin ishte i drejtë.
“Kurrë nuk jam marr me teknologjinë. Nuk janë njerëzit ata që komandojnë teknologjinë, por janë ata që vendosit pikat afër trupit të futbollistit. Është offside apo jo, këtë e nxjerr teknologjia. Rregulli e thotë qartë: Nëse një sulmues gjendet në pozicion jashtë loje dhe ka impakt në golin ose autogol, është pozicion autogole. I drejtë ka qenë vendimi i sistemit VAR për të anulluar golin. Arbitrat vendosin pikat në pjesët më të afërta të trupit. Sistemi VAR heq vijën paralele nga vija fundore te lojtari, nuk janë arbitrat që vendosin, por sistemi”, është shprehur Klajdi Kola.
Gjithashtu në një lidhje telefonike diskutimeve u është bashkuar edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili. Ky i fundit kundërshton ashpër Klajdi Kolën, duke u shprehur se goli ishte i rregullt.
Refik Halili: I ke sytë në ballë? Shikoje aty sepse ne nuk jemi budallenj. Ku e fillon ti ndërtimin e vizës? Edhe ti nuk qenke në gjendje, për çfarë je aty? Ti je aty për të folur të drejtën, jo për t’i dhënë një llustër. Filloje dimensionin nga porta.