
Partizani dhe Egnatia luajnë nesër në orën 19:00, finalen e madhe të “Final 4”. Një ndeshje pa favorit ku emocionet janë ndjerë gjatë gjithë javës.
“Ultras Guerrils” kanë dhënë kushtrimin e fundit për këtë ndeshje. Përmes rrjeteve sociale, grupimi që mbështet Partizanin, tregon se janë gati për ta tundur si asnjëherë më parë.
“Nesër është ndeshja finale, ajo vendimtarja e fundit e një sezoni të gjatë plot emocione e sakrifica, që presim ta ngjyrosim me ngjyrën e kuqe. Shkojmë fuqishëm me maksimumin e mbështetjes, me zonin në fund, me duartrokitjet më të forta se ndonjëherë, me grintën dhe presionin që lojtarët kundërshtarë as nuk e imagjinojnë, me flamujt gati për tu valvitur me krenari deri në momentin e fundit, me shallin gati për ta tundur si asnjëherë më parë, me fanellën e kuqe gati për ta ‘’shëtitur’’ furishëm në fushën e blertë kur vërshëllima finale të japë verdiktin se kampion është Partizani !
Kemi kaluar shumë ndeshje së bashku me emocione të llojeve të ndryshme që na jep sinjalin se duhet gjithsesi të qëndrojmë me këmbë në tokë, dhe të kërkojmë përherë revanshin deri në fitore. Nëse vite më parë dukej e paimagjinueshme, nesër kemi takimin e radhës me historinë, ku vendoset nëse e shkruajmë një tjetër faqe të artë në të. Le ta krijojmë së bashku atmosferën e duhur që kjo të ndodhë. Këto rreshta i kuptojmë vetëm tifozët e Partizanit, nuk janë për këdo ...
FORCA PARTIZANI!”