
Elbasani është zyrtarisht një ekip i Superiores që nga sezoni i ardhshëm. Verdheblutë siguruan matematikisht ngjitjen dhe rikthehen kështu në elitën e futbollit shqiptar.
Superiorja, ndryshe nga Kategoria e Parë ka një nivel më të lartë dhe sigurisht, për të qenë një ekip konkurrues duhen përforcime në organikë. Klubi nuk është aspak i shqetësuar në këtë pjesë pasi përforcimet do të vijnë, madje kanë nisur herët nga puna.
Irdi Kasalla i Korabit u përfol sot për t’ju bashkuar ‘Tigrave’ në verë dhe mbetet të shihet nëse do të finalizohet marrëveshja. Mund të themi me plot bindje se Elbasani do të jetë një konkurente e fortë në merkato pasi kjo u pa qartë edhe në sesionin e janarit ku emra si Ardit Hila iu bashkuan klubit.
Mesfushori erdhi nga Tirana, por mund të mos jetë i vetmi që ndryshon fanellën bardheblu për atë verdheblu. Në janar shumë pranë dukej Bruno Lulaj i cili ishte i gatshëm të luante për ekipin e vendlindjes. E njëjtë edhe për Leon Kozin që ishte dëshirë e madhe e klubit për kuadratin e portës.
Për të dy nuk u arrit marrëveshja, me Lulajn për çështje page, ndërsa gardiani u ‘kyç’ nga Tirana. Me mbylljen e sezonit situata mund të marrë një tjetër rrjedhë. Tirana do t’i nënshtrohet një revolucioni të madh dhe shumë emra janë drejt largimit.
Në portë bardheblutë kanë 3 alternativa të shkëlqyera si Gentian Selmani, Mustafë Abdullahu e Leon Kozi, ndaj nuk do ishte aspak çudi nëse njëri prej tyre do të largohej. Sa i përket repartit defansiv, problemet me golat e pësuar mund të sjellin një ribërje totale të mbrojtjes.
Mbetet të shihet nëse Elbasan do të jetë sërish në ndjekje të këtyre objektivave apo do të ketë një listë të re për merkaton e verës.