Partizani i Aleksandër Veselinoviç ende nuk është ku të gjithë tifozët duan. Megjithatë të kuqtë vijojnë të jenë kandidatë potencialë për titullin kampion. Kryeqytetasit bënë një merkato jo me emra "boom", mirëpo ajo që bie në sy është mosaktivizimi i katër futbollistëve që u afruan këtë verë.
Bëhet fjalë për Anteo Osmanllarin, Rodrigo Piloton, Josef Mintongon dhe Mateo Shanajn. Edhe pse drejtuesit e kuq fillimisht i patën në plane, me trajnerin e ri serb e ardhmja e tyre tanimë pritet me interes. Ndërsa Shanaj dhe Piloto kanë provuar shijen e debutimit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Osmanllarin dhe Mintongon.
Shumë gjëra kanë ndryshuar me Veselinoviç dhe tashmë do të shihet se si do të vijojë aventura e katër futbollistëve të mësipërm me fanelën e kuqe. Fakt mbetet se organika është jashtëzakonisht e ngjeshur dhe nuk përjashtohet mundësia që në merkaton e dimrit të ketë firo.