
Skuadra e Tiranës ditën e nesërme do të tregoi “muskujt” me Bylisin në stadiumin ballshiot “Adush Muça”, java e parë e Superiores. Në prag të këtij ballafaqimi, trajneri bardheblu, Vangjel Mile është ndalur në pika të caktuara, nga dueli me Bylisin e Mirel Josës e deri te presioni dhe objektivat për sezonin e ri:
“Përgjegjësia është e madhe. Vlerësimi po ashtu është maksimal. Ndjehem shumë mirë, komod, sepse nuk është viti i parë që po punoj me këtë klub, është viti i tretë që jam pjesë e këtij klubi të madh, ndaj çdo gjë është pozitive dhe ndjesia është shumë e mirë. Në përbërje kemi një grup prej 25 lojtarësh.
Mendoj se ndërthurja e lojtarëve të rinj plus me eksperiencë nga kampionatet e huaja dhe shqiptare, do ketë rezultat e shpresoj të jenë sa më pozitive. Objektivat janë madhore, pritshmëritë janë shumë të larta dhe dihet në një klub të madh, pritshmëritë janë të lart. Por shpresojmë që gjërat të shkojnë mirë, për të qenë triumfues duhet që të funksionojnë të gjithë komponentët, stafi drejtues e stafi teknik, dhe tifozeria të jetë në krahun tonë e të na mbështetë.
Merkato e bllokuar? Të them të drejtën unë jam përgatitur për ndeshjen me të gjithë lojtarët që kam në kontingjent. Mungesat e vetme janë Kola dhe Meta, dhe ata që nuk janë në gjendje fizike. Pjesa tjetër, edhe të rinjtë, janë pjesë e skuadrës. Me këtë rast dua t’i uroj Kolës shërim të shpejtë e të kthehet sa më shpejt se ka qenë një nga lojtarët e rëndësishëm për ekipin tonë. Debutimi? Çdo sfidë në kampionatin shqiptar është e vështirë se dimë mirë që nuk ka disnivel. Por varet si do sillemi në fushën e lojës dhe si do të përshtaten të rinjtë me kampionatin shqiptar.
Por ju e dini që të gjithë në këtë klub futen për të marrë tre pikët. Kemi lojtarë shumë të talentuar në përbërje, mund të jenë e ardhmja e këtij klubi. Mendoj se me pak besim këta lojtarë do i shihni jo vetëm në kampionatin tonë por edhe në ata europianë. Presioni do jetë gjatë gjithë kohës se që një lojtar të rritë komponentët, duhet të rritë edhe psikologjinë. Normalisht do vazhdojnë në presion, të luajnë e stërviten nën presion. Na bënë mirë”, u shpreh trajneri Vangjel Mile.