Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

"Tirana? M'u duk më serioze oferta e Suharekës", Shpëtim Duro: Arbër Hoxha si Ballgjini i Dinamos, Broja dhe Asani janë unik

Shkruar nga NEWSPORT
"Tirana? M'u duk më serioze oferta e Suharekës",
Shpetim Duro, ©BalkanWeb

Shpëtim Duro ka analizuar gjendjen e Kombëtares shqiptare para Euro 2024. Në një intervistë për 'Sport News' të moderatores Trevisa Tufa, Duro preku disa tema përfshirë edhe atë të kampionatit shqiptar, zërat që e lidhën me Tiranën dhe arsyeja pse pranoi ofertën e Suharekës.

Në letër duken shifra të kënaqshme Duro, 6 gola të shënuar, 1 i pësuar. Si e pe Shqipërinë në këto dy miqësore?
Ndeshjet miqësore janë miqësore. Normale, edhe rezultati është i rëndësishëm, edhe sa i përket aspektit psikologjik. Dihet që kanë vlerë për para-përgatitjet për Europianin, përtej nivelit të rivalit.

Çfarë të pëlqeu dhe çfarë jo? Çfarë të bëri më shumë përshtypje, parë nga jashtë?
90% më ka pëlqyer. Më ka tërhequr personaliteti dhe serioziteti i skuadrës. Më pëlqeu ritmi i lojës në të dy ndeshjet. Patjetër, u shoqërua me rezultate të mira. Kemi ekip në formë, kemi alternativa të shumta. Të gjitha pozicionohet në skuadër janë të dubluara, që nga porta deri në sulm.

Përtej golave, duhet thënë që azerët na vendosën shumë në vështirësi, 60% mbajtja e topit, 5 gjuajte në kuadrat, etj. A duhet të shqetësohemi?
Patjetër, çdo ndeshje ka karakteristikat e veta. Ndaj Lihtenshtejnit ishte dominim total, sepse edhe kundërshtari ishte i tillë. Azerbajxhani është ekip i nivelit më të lartë, brenda lojës pati anë pozitive. Pjesa e parë ishte perfekte sa i takon interpretimit të lojës, ku nuk i lejuam kundërshtarit hapësira. Kjo është ideja, të luajmë kështu dhe të shfrytëzojmë mundësitë që na jepen. Negative ishte pjesa e dytë, ekipi u tërhoq shumë dhe i la terren rivalit, që normalisht na sulmoi. Çelësi i këtyre ndeshjeve ka qenë Bajrami, i cili lëviz shumë dhe krijon situata.

A është ky ekipi që do të luajë kundër Italisë, ato lojtarë që luajtën në pjesën e parë kundër Azerbajxhanit? A ishte ky një test gjeneral në funksion të Italisë?
Ne duhet të luajmë ashtu si luajtëm në pjesën e parë. Disa situata që ndodhën me Azerbajxhanin, nuk duhet të përsëriten, pasi Italia është një ekip me cilësi. Unë kam besim sepse kontingjenti i grupit tonë është i mirë. Ne kemi mundësi zgjedhjeje, mund të bëjmë ndryshime gjatë ndeshjes.

Besoj për mënyrën e lojës nuk pritet të ndryshojmë shumë, nuk besoj se do luajmë në sulm në Euro 2024, edhe pse në letër ajo duket pika më e fortë…
Ne kemi lojtarë me cilësi dhe vlera të ndryshme. Kemi lojtarë si Broja që bëjnë ndryshimin në momente të veçanta. Veprimet e Asanit gjithmonë përbëjnë rrezik. Asllani dhe Bajrami janë të nivelit të lartë. Duhet të shfrytëzojmë aftësitë individuale të sulmuesve tanë.

Profesor, zgjedhjet i takojnë Silvinios, kjo nuk diskutohet, por në shijet tua dhe nga ajo që kemi parë gjithë këtë periudhë, dua nga një koment të shkurtër për disa dilema që ka opinioni. E nisim nga porta, Strakosha apo Berisha, kush luan titullar në Europian, kush mendon?
Janë portierë cilësor, por së fundmi ka qenë stabël Berisha.

Hysaj apo Balliu, kë sheh më të avantazhuar?
Kam mendimin se mund të luajë Hysaj, përderisa luajmë ndaj Italisë.

Kë sheh partnerin ideal të Gjimshitit, Ajetin apo Ismajlin?
Jam befasuar me Ajetin, ka hyrë bindshëm në lojë me ekipin kombëtar. Duke iu referuar qendrës, Ismajli është një nga më të mirët sa i takon rikuperimeve.

Mitaj, Asllani, Ramadani dhe Bajrami duken të sigurt. Nga një koment të shkurtër, ofrojnë garanci, si i pe në këto miqësore? E nisim nga Bajrami, gol dhe asist…
Meritë e Silvinjos. Disa lojtarë para një viti nuk kanë patur besimin e duhur, por tani kanë ndryshuar gjërat. Ramadanit i ka dhënë çelësat e mesfushës. Kemi shumë alternativa në mesfushë, Ramadani, Bajrami e Asllani e njohin mirë mentalitetin italian.

Një dilemë e madhe është Jasir Asani, a do të jetë në maksimum në këto sfida?
Asani u dallua në eliminatore, sërish u shfaq protagonist. I vetmi që nuk është i dubluar në krahët e tij është Asani.

Mendon se ka balotazh në krahun e majtë të sulmit, Arbër Hoxha apo Seferi?
Të dy janë lojtarë të mirë. Seferi punon në krah, por Arbër Hoxha është i jashtëzakonshëm me depërtimet. Po bëj një krahasim, Arbër Hoxha më duket si Shyqyri Ballgjini i Dinamos.

Broja duket i paprekshëm në sulm, si e pe në këto dy teste? A mundet të bëjë diferencën në Europian?
Broja është unik, përpos problemeve që ka patur, është i rëndësishëm. Mendoj se ai do të shfrytëzohet mirë nga Silvinjo për ndeshjen ndaj Italisë. Ai mund të përfitojë nga hapësirat që i jepen.

Më bëri përshtypje fakti që nuk aktivizoi asnjë minutë Mirlind Daku, u aktivizua gjithnjë Manaj si zëvendësues i Brojës. A tregon kjo hierarkinë e qendrës së sulmit?
E shpjegoi edhe trajneri, kishte qëllim për ta aktivizuar por ndryshoi situata e lojës. Manaj është pak a shumë si Broja, në mënyrën sesi luajnë në kundërsulm. Daku duhet të shfrytëzohet kur kemi të bëjmë me topa të gjatë.

Për ta mbyllur këtë diskutim, si e vlerësoni listën e Sylvinho, çfarë do kishe bërë ndryshe nëse do ishit ju trajneri i Shqipërisë?
Unë kam një simpati të veçantë për mënyrën sesi luan Muçi. As ndeshjen e parë nuk u fut. Muçi mund të jetë alternativa e parë e të gjithë sulmit. Sa i takon listës, nuk ia vlen të kthehemi. Janë gjëra që Silvinjo i ka menduar mirë, do marri përgjegjësitë. Duhet ta lejmë të qetë që të bëjë zgjedhjet e duhura në këto 3 ndeshje që i presim me optimizëm.

Duro, në fushë këtë periudhë kanë zbritur dhe rivalët tanë. Ka bërë shumë zhurmë forma e Italisë, nuk të ngjallin frikë, sa shanse kemi për t’i marrë pikë? Më solide Kroacia dhe sidomos Spanja…
Italia ka cilësi në të gjitha repartet, ne i ndjekim çdo javë në kampionatin italian. Një lajm pozitiv është dëmtimi i Barelas, është një lojtar si Bajrami. Italia tjetërsohet në takime zyrtare, dihet që forcohet. Stafi jonë e ka analizuar mirë Italinë, duhet të kemi kujdes nga krahët, pasi janë Dimarco dhe Di Lorenzo. Shanset ndaj Italisë? Kam besim, duke iu referuar skuadrës tonë.

Profesor, së bashku kam kënaqësinë që jemi edhe në programin special gjatë Europiani që do të zhvillohet në News24, do flasim gjatë, por kjo është një verë e ngarkuar për ju. Keni marrë përsipër një tjetër bast të madh, të drejtoni në Kosovë, një skuadër si Suhareka. Ishte një lëvizje surprizë duhet thënë…
Është një bast i vështirë. Në këto vite kam drejtuar skuadra të ndryshme. Doja të rrija pushim, por ka qenë një vendim i shpejtë. Nuk e prisja, ky është profesioni i trajnerit. Është një ekip që ka ardhur nga kategoria e parë. Është një skuadër që do ndërtohet nga fillimi, do mundohemi të bëjmë më të mirën.

Do kenë fatin në Kosovë të shijojnë dhe një mini derbi Duro kundër Dajës… Në fakt i mungoni kryeqytetit shqiptar, për një moment besuam realisht se mund t’iu shihnim te Tirana, pas atij largimi befasues nga Struga…
Jemi krenarë që do përfaqësojmë Shqipërinë në një vend fqinj si Kosova. E thashë që nuk e kisha plan të filloja punë në këtë verë, por kështu ndodhi. Kisha oferta nga Shqipëria, por m’u duk ofertë serioze kjo e Suharekës.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga