
Superiorja javë pas jave po bëhet edhe më spektakolare. Duele mjaft të luftuara janë në program për t’u zhvilluar në fundjavë në kuadër të raundit të 6-të të kampionatit.
Tifozët duhet të “mbajnë frymën”, pasi përballë njëra –tjetrës do të vihen ekipet pretendente, ku gjithçka do të kulmojë me derbin mes Partizanit e Tiranës. Pikërisht kjo sfidë do të hapë edhe serinë e kësaj jave dhe është dueli i vetëm që do të luhet ditën e premte.
Kështu në orën 19:00, të premten në “Air Albania” do të zhvillohet derbi i parë i këtij sezoni mes Partizanit e Tiranës. Dy ekipet që këtë sezon po zhgënjejnë vihen përballë dhe do të luftojnë për të “marrë” kryeqytetin.
Ndërkohë pas emocioneve që do të na japë ky derbi do të luhen të tjera takime të luftuara. Kështu të shtunën në program janë 2 sfida, të cilët do të luhen në të njëjtën orë, 19:00.
Dinamo do të presë Flamurtarin në “Selman Stërmasi”, duke rikthyer kështu përballjet e të kaluarës dhe rivalitetin mes tyre. paralelisht do të luhet edhe në Shkodër, ku në “Loro Boriçi” do të sfidohen mes tyre Vllaznia dhe Elbasani. Dy ekipet që udhëheqin Superioren do të përplasin “brirët” për vendin e parë në elitë.
Dhe sa i takon të djelës, gjithashtu do të jetë fantastike. Në orën 14:00 në stadiumin e Laçit do të luhet sfida Vora – Egnatia. Takim interesant mes 2 ekipeve që po bëjnë mirë në këtë fillim sezoni.
Ndërkohë në orën 17:00 do të jetë radha e Teutës dhe Bylis për të bërë mes tyre llogaritë e javës së 6-të të kampionatit, përballje që do të luhet në “Niko Dovana”.
