
Teuta tashmë është një nga ekipet aktive në merkato, ku ka shumë hyrje-dalje gjatë kësaj periudhe. “Djemtë e Detit” kanë ‘ndezur’ kështu motorët për sezonin e ri dhe prej ditësh kanë vazhduar përgatitjet në Durrës.
Tashmë do të largohen nga Durrësi dhe do të zhvendosen në Pukë. Saktësisht ditën e hënë ekipi do të udhëtojë drejt Pukës, ku do të vendoset për të zhvilluar edhe fazën përgatitore.
Gjatë kësaj periudhe ekipi do të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore, ku Edi Martini do të ketë mundësinë të shikojë gjendjen e të gjithë futbollistëve. Gjithashtu gjatë qëndrimit 2 javor në Pukë nuk përjashtohen afrimet, ku klubi dëshiron të “kopsisë” të gjitha repartet në mënyrë që ekipi të jetë gati për fillimin e sezonit.