Tashmë është kthyer në një shaka trend në rrjete sociale. Çdo fanellë që kryeministri Edi Rama prek, ‘mallkon’ ekipin përkatës duke sjellë humbje në ndeshjen e rradhës. Ka nisur me Juventusin, për të vazhduar me Lazion, Bayern Munchen, Real Madrid e Barcelona.
Së fundmi e ‘pësoi’ edhe Manchester City. Anglezët u eliminuan nga Champions League në mbrëmje, ndërsa kryeministri preku fanellën e skuadrës paradite në ceremoninë e hapjes së akademisë së Manchester City në Shqipëri.
Nga ky ‘ters’ kërkon të përfitojë zyrtari i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina. Ish-futbollisti shkodran në postimin e bërë nga Newsport ka komentuar duke i ‘sugjeruar’ me batutë kryeministrit ‘të kalojë nga Rrogozhina të mërkurën’.
Të mërkurën, Vllaznia luan me Egnatian ndeshjen e kthimit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë dhe sfida e parë u fitua nga rrogozhinasit me rezultatin 1-0. Si duket, drejtori i Vllaznisë kërkon edhe ‘ndihmën’ e kryeminsitrit për të kapur finalen.