Partizani ka fituar në shtëpi përballë Teutës në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi 2-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri i "Djemve të Detit", Enkeleid Dobi.
“Finalizimi? S’mund t’ja vendos fajin sot finalizimit. Sot nuk ishte dita jonë më e mirë, sidomos në pjesën e parë. Duhet ta pranojmë që nuk intepretuam ashtu siç donim. Më vret më shumë se ndëshkohemi me dy episode. Kjo ishte një ndeshje për barazim, por ja që humbëm dhe kjo na dhemb. Ky është pishmani më i madh.
Në 20 metrat e fundit, topat, zgjedhjet nuk janë siç i dua unë. Sot nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, sidomos në pjesën e parë. Në të dytën ishim më mirë, por duhet të jemi më cinik që të vijmë dhe të realizojmë.
S’u kënaqët me barazim që shkuat përpara? Atë thashë edhe në momentin e Zogos. Tani shënuam por duhet të jemi të fokusuar. Okej, 1 me 1. Por duhet të vazhdojmë të mbajmë ekuilibrin. Në situatën e Tolit i thashë që duhet shfrytëzuar Fofana me topa pasi ishte në një ditë të mirë. Ky është futbolli. Dikush është i zemëruar, dikush i kënaqur. Më vjen keq si i marrim golat, jemi gjithmonë 2 kundër 1 për ne dhe ne pësojmë gol. Diçka nuk funksionoi.
Bëmë gabim, duhet të marrim masat dhe të marrim përgjegjësitë përsipër. Marrim një top pas shpine 2 me 1 dhe pësojmë gol. Duhet të jemi më me eksperiencë dhe të jemi të fokusuar deri në fund. Nëse nuk je në ditën më të mirë tënden, edhe 1-1 duhet ta respektosh. Na dhemb kjo e sotmja, nga unë i pari, duhet të marrim përgjegjësitë, se pse ndodhi kjo, ku ishte gabimi. Më vjen keq sepse ishte një ndeshje e ekuilibruar, për barazim. Por ja, ne u ndëshkuam.
Po ta dija më përpara Fofana do e kisha futur, por para 3 ditësh ka ardhur tek ne. Nuk mendoj se është gati për të filluar titullar. Megjithatë, në mënyrën si luajti, mund të fusim. Nuk ishte dita jonë më e mirë si zhvilluam lojën, por them që ishte një ndeshje për barazim. Bëmë gabim dhe pësuam gol. Nuk i shfrytëzojmë ne kur i bën këto gabime kundërshtari, nuk e di.
Kur një ekip dominon, luan mirë, i jep dorën. Por kur ti ndëshkohesh me dy gabime... lojtari i Partizanit shënon ashtu. Kjo të dhemb akoma më shumë”, tha Dobi.
