
Partizani kryeson Superioren me 21 pikë, po jo e vetme. Aty ndodhet dhe Vllaznia e Shkodrës. Lojtarët e “Demave” po performojnë shkëlqyeshëm dhe vetë trajneri serb Veselinovic e ka theksuar këtë gjë në konferencat për shtyp.
Mirëpo duket se një lojtar serbi nuk e llogarit fare ose të themi më mirë nuk e ka në planet e tij. Futbollisti në fjalë është i vetmi që nuk ka bërë ende një paraqitje në këtë sezon të ri. Bëhet fjalë për Mintongon. Lojtari është nga Afrika dhe më saktësisht nga Guinea. I huaj u ble nga ekipi kryeqytetas në merkaton e verës.
Joseph Mintongo luan në rolin e mesfushorit, një repart i mbipopulluar ku është e vështirë të gjenden hapësira. Aty ndodhet Rrapaj, Zeka, Taipi, Kote apo Mehmeti. Mes gjithë këtyre emrave zor se mund të gjendet një hapësirë e lirë.
Ky përbën një rast të veçantë jo vetëm te Partizani po edhe në Superiore në përgjithësi. Ndoshta lojtari nuk ka bindur në stërvitje dhe kjo e ka bërë Veselinovic të mos e shoh si një alternativë reale.
Edhe në rast lëndimesh, e njëjta situatë është përsëritur duke mos i dhënë minuta. Mbetet për t’u parë nëse historia e afrikanit në Shqipëri do të mbyllet që në dimër apo tekniku do të vendosë t’i japo shansin për të treguar veten.