
Skënderbeu do të presë në shtëpi Erzenin për të luajtur ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, këtë të shtunë, do të startojë në orën 18:00.
Në prag të kësaj ndeshje të rëndësishme për korçarët të cilët shpresojnë ende te “Final Four”, ka folur trajneri Ivan Gvozdenovic. Ky i fundit tregon për situatën aktuale të ekipit, duke theksuar se për sfidën ndaj Erzenit kanë projektuar një formacion sulmues.
Situata e ekipit?
“Situata është mirë deri tani. Sot kemi stërvitjen e fundit si gjithmonë, do flasim me stafin. Kemi një problem të vogël me Nikaj, do shikojmë sot si është situata. Ka një problem në gju, por do ta shohim sot dhe do vendosim. Mungesa nuk pritet të kemi, deri tani mirë. Kjo është situata”.
Ndeshje me Erzenin?
“Është shumë e rëndësishme si gjithmonë. Edhe ndaj Kukësit dhe Teutës ishte e rëndësishme. Kemi nevojë për pikët pasi s’kemi siguri dhe diferencë. Kemi 6 pikë diferencë nga Play Out dhe 2 pikë nga Final Four. Matematikisht është gjithçka e hapur, por ne jemi Skënderbeu dhe mendojmë si të fitojmë. Kemi respekt për Erzenin, por së bashku me tifozët duam rezultat pozitiv”.
Loja juaj, në sulm apo mbrojtje?
“Si gjithmonë. Erzeni kërkon të luajë difensiv dhe bukur. Varet nëse nuk është gati Nikaj, nuk e di si do të bëjmë, por kam besim se do të bëjmë një formacion sulmues për nesër”.
Objektivi Final Four, mund të arrihet?
“Është shumë e vështirë ta them tani. Tani mendojmë vetëm si të fitojmë nesër, vetëm për Erzenin mendojmë të gjithë. Pastaj të tjerat varen nga rezultatet. Por brenda nesh është objektivi që do e kapim katërshen”.
Apel për tifozët?
“Faleminderit! Ishte super atmosferë përballë Teutës, Tiranës, Partizanit dhe Egnatias. Kemi nevojë për tifozët dhe besoj do të bëjmë një atmosferë të bukur si gjithmonë”.