Tirana do të luajë një ndeshje shumë të rëndësishme ditën e nesërme. Bardheblutë do të përballen me Egnatian në transfertë në orën 16:30, duel i vlefshëm për javën e 22-të të kampionatit.
Në prag të kësaj sfide ka folur Ardian Nuhiu. Trajneri i kryeqytetase ka theksuar se beson te ekipi i tij dhe në Rrogozhinë do të shkojnë vetëm për 3 pikët.
Ndër të tjera ka nënvizuar se janë të motivuar për të arritur rezultat pozitive dhe tashmë nuk i tremben asnjë kundërshtari, pasi ekipi po bën mirë në javët e fundit.
“E shoh skuadrën të motivuar, rezultati i fundit ka rritur moralin te grupi, presim një ndeshje të fortë dhe luftuar sepse kemi përballë një skuadër që vitet e fundit ka udhëhequr kampionatin, lëviz shumë mirë në fushë, kanë idetë e tyre. Për të gjitha këto besoj te karakteri i skuadrës sime, duhet të jemi të disiplinuar, kemi futbollistë kualitativ edhe në aspektin individual, jemi të motivuar, lojtarët të dalin te potenciali i tyre.
Nesër do të kemi mungesa të rëndësishme si Haxhiu ka një periudhë që na mungon, Ernest po ashtu, por kam besim te lojtarët që do të zbresin në fushë, kam besim për një performancë të mirë.
Është sfidë e re, ata po luajnë mirë pavarësisht që skanë marrë rezultatet, ne duhet të fokusohemi te loja e jona, të jemi shumë të disiplinuar, flitet për një skuadër që është bashkë prej një kohe, e dinë çfarë lëvizje duhet të bëjnë, besoj fuqishëm që mund të marrim më të mirën nga kjo sfidë.
Kërkoj vazhdimësi, jemi në rritje e sipër, skuadra po krijon identitet dhe organizim, rezultati është i rëndësishëm, besoj që do të bëjmë ndeshje të mirë, skuadra jonë nuk duhet të gabojë, besoj fuqishëm te kualiteti dhe te karakteri i grupit sepse po na e tregojnë nga ndeshja në ndeshje, edhe ndaj Flamurtarit ishim të ngarkuar nga aspekti emocional, por lojtarët treguan madhështi dhe karakter të fortë”, ka deklaruar timonieri i bardhebluve.
