Dinamo ka triumfuar përballë Partizanit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 9-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi 2-0. Pas këtij dueli ka folur trajneri fitues, Ilir Daja.
“Kemi bërë një 25 mintuësh të parë shumë të mirë. Pastaj e mori iniciativën Partizani, për pak kohë. Mundet të kishim realizuar në ato 25 minuta. Duhet të ishim më cinikë, sepse derbet kanë spektakël brenda, sot kishte si nga ne dhe Partizani. Ishte derbi i tensionuar për shkak të atmosferës në dy kampet. Kur ka kaq shumë iniciativa, mendon gjithmonë se do të ndodhë diçka.
Mendoj se pastaj me shënimin e golit, morëm lojën në kontroll. Kemi ndërhyrë më vonë, në ato minuta që Partizani u bë agresiv, me presing lart. Ne morëm masat tona dhe me shënimin e golit të dytë, mbyllëm gjithçka. Jemi të kënaqur. Pavarësisht se Partizani ka ato pikë, ka lojtarë të mirë. E rëndësishme për ne është vazhdimi me rezultate pozitive dhe të përmirësohemi. Të marrim lojtarë nga stoli dhe të paraqiten mirë. Këto janë gjëra pozitive. Nëse duhet të flas akoma për taktikën, s’bëj mirë. Këtë ndeshje e fitojnë lojtarët. Edhe ne, edhe Partizani kishim vetëm 2 ditë kohë. Në këto 2 ditë, çfarëdo të bëjmë, s’kemi kohën e duhur për të bërë gjithçka. E gjithë kjo eufori dhe fitorja e derbit, u shkon të gjithë lojtarëve të mi dhe arritën që të marrin fitore në derbi dhe të vazhdojnë rrugën drejt objektivave tona.
Maliqi ishte më i fortë në kërcimin poshtë lart në krahasim me Lorran. Kërcimi i Maliqit nga poshtë lart për të kapur gjerësinë e fushës, ishte më mirë nga ajo ç’ka bëri Lorran. Prandaj dhe ne kishim më të fortë krahun e djathtë sesa të majtin. Nuk është se kishim veprime individuale. Vila? Atë e diskutova edhe në dhomat e zhveshjes dhe më tha që ngeli topi në mes të dy këmbëve dhe i thashë ta zgjidhte shpejt me majë. Aty nuk ka si të shërbehet. Lojtarët me këtë lloji ngarkese në javët e fundit, nuk e kanë freskinë e duhur. Në momentin që s’ke freski, zgjedhjet s’bëhen të mira të gjitha. Mosaltruizimi? Nuk kishte ndonjë situatë të tillë, që mund t’i shërbente ndonjërit, si Vila, Guindo apo Bregu. Të gjithë shërbejnë, kjo është pozitive”, tha Daja.
