
Humbja me shifrat 0-3 në derbin përballë Tiranës, ka vënë në lëvizje drejtuesit e Partizanit. Vetëm disa orë më parë, Arbër Abilaliaj njoftoi dorëheqjen nga posti i drejtorit sportiv që mbante tek klubi i kueq.
Por kush e ka radhën? Trajner mbrëmjen e djeshme pas përfundimit të ndeshjes, kur u pyet për shkarkimin u tregua disi i “frikësuar” dhe në mëdyshje, duke u shprehur se do të ulej e të fliste me drejtuesit.
Nuk dihet ende nëse klubi i Partizanit do të vazhdojë t’i besojë serbit Mladen Milinkovic. Kjo pasi trajneri u ul në pankinë pikërisht nga ish-drejtori sportiv, Abilaliaj, i cili ka të drejtën ekskluzive mbi “timonierin”.
Edhe duke u bazuar në statistika skuadra shihet nuk po i bindet teknikut serb.
Në 6 ndeshjet e para të Superiore, “Demat” kanë shënuar vetëm 3 gola, me një sulm pothuajse inekzistent. Më keq ka bërë mbrojtja, pasi Partizani ka pësuar plot 11 gola, duke mos treguar forcë as në repartin difensiv.
Statistikat flasin qartë, ndërsa tani radhën e kanë drejtuesit. Pritet të shihet nëse besimi i drejtuesve të lartë të Partizanit është ende “gjallë” apo do të kemi një riformatim edhe në pankinë.