
Tirana ka triumfuar në derbi përballë Partizanit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare”, përfundoi 3-0 në favor të bardhebluve. Në përfundim të këtij dueli ka folur presidenti i klubit bardheblu, Refik Halili.
"Të flasim për vazhdimësinë tani, të shohim çfarë do të bëjmë. Shpresojmë që skuadra të ecë përpara, ju përgëzoj të gjithëve për interesimin ndaj këtij klubi se kam parë gjatë kësaj kohe edhe në mediat që ne i kemi dhënë të drejtën televizive që nuk ka absolutisht asnjë lloj interesi për klubin e Trianës. Nëse duhet argument, është i thjeshtë. Është gëzim shumë i madh që kryeministri miraton ndërtimin e një stadiumi, kur vjen puna mediat sportive ngado nuk thanë asnjë koment që ky është një gëzim i madh se kryeqyteti do bëhet me stadium të ri.
Sa i përket ekipit dhe pjesës së futbollit, ne kemi qenë në një gjendje jo të mirë në rezultate. Nuk dua të ankohem, përgëzoj çunat, shpresoj që në të ardhmen të dalim nga kjo baltë që jemi zhytur të gjithë bashkë, nga unë e deri te i fundit.
Unë e di shumë mirë që skuadra brenda ka futbollistë shumë, shumë, shumë të mirë dhe këtë e kam bindje. Në një takim që kam pasur me skuadrën u kam bërë të ditur se unë vitin e ardhshëm do të vazhdoj bashkëpunimin, kuptohet duke pasur disa lëvizje në skuadër. Do të ishte kënaqësi të vazhdoja bashkëpunimin me ta, pa lëvizur asnjë lojtar, por vetëkuptohet që në të ardhmen do të bëjmë edhe ndryshime me shpresë që të vazhdojmë kështu siç bëmë edhe sot.
A jam pjesë e stadiumit të ri? Për të dhënë një përgjigje nuk më dalin as 50 orë, kam shumë gjëra për të thënë për klubin, futbollin, kampionatin shqiptar. Në ditët në vazhdim mund të flasim shumë gjëra, mund të them që një gjë që unë jam pjesë e brendshme e stadiumit. E di që nuk ju intereson në përgjithësi shumë njerëzve, për atë stadium është bërë ndoshta edhe kjo zallamahi e madhe që nuk ka pushuar. Unë jam pjesë e stadiumit, ju përshëndes, urojmë e jam i bindur që do të ecim përpara dhe klubi do të shkojë në majat shumë të larta në vitet e ardhshme”, u shpreh Refik Halili.