
Laçi dhe Vllaznia do të përballen këtë të shtunë për të luajtur ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të të Superiores. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin e Kurbinit, do të nisë në orën 14:00.
Shkodranëve i duhen pikë për kreun, pasi ndodhen me 45 pikë në vendin e dytë, ndërsa Laçi me 30 pikë mban vendin e 6-të dhe kërkon pikë për t’u shkëputur nga zona e ftohtë. Renditja favorizon Vllazninë, por e shkuara jo.
Në 26 ndeshjet e fundit në stadiumin e Laçit, Vllaznia ka hasur shumë vështirësi, duke marrë vetëm 4 fitore. Plot 19 herë kanë triumfuar kurbinasit vendas, teksa 3 ndeshje kanë përfunduar në barazim.
Pritet të shihet nëse nesër, Vllaznia do t’ia dalë në transfertën e Laçit, e cila ndër vita ka treguar që është një “ferr” për ta.