Tirana do të presë Elbasanin sonte në orën 19:00 në Air Albania për të luajtur ndeshjen e javës së 5-të të Superiores. Një sfidë e shumëpritur që vë përballë dy ekipe të traditës ku rivaliteti është si në fushë, ashtu edhe në tribuna.
Bardheblutë synojnë të marrin fitoren e parë pas 4 barazimeve rradhazi dhe rikthimi në shtëpi pritet si shenjë pozitive për ta. Nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi skuadra mbylli përgatitjet ditën e djeshme dhe në mungesa e vetme mbetet kapiteni Florian Përgjoni.
Për këtë duel, Shkëmbi pritet të ndryshojë skemën duke kaluar në një 3-5-2, njëjtë si Elbasani. Ndryshimi i modulit sjell edhe lëvizje në formacion me Gjumsin që pritet t’i lërë vendin Rimal Haxhiut në linjën e djathtë. Dopieta ndaj Bylisit ka ngritur shumë koeficientët e Akileu Ndreca i cili ka shumë gjasa ta nisë titullar krah Jarmouni, por Shkëmbi do të vendosë vetëm në fund nëse do të ul në stol Fatmir Prengën.
Pjesa tjetër mbetet e njëjtë me Ermal Metën para mbrojtjes dhe tërheqjen e Dembeles në 3-shen e prapavijës.
Formacioni i mundshëm:
Tirana (3-5-2) – Selmani; Dembele, Kola, Mici; Haxhiu, Soler, Meta, Jonuzi, Ismajli; Jarmouni, Ndreca (Prengaj). Trajner: B. Shkëmbi