Teuta dhe Tirana kanë barazuar mbrëmjen e sotme, në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, përfundoi me shifrat 1-1. Pas këtij dueli ka folur "Lojtari i Ndeshjes", autori i golit të Tiranës, Basilio Ndong.
“Unë ndihem shumë mirë, ndihem mirë së bashku me ekipin. Sot luajtëm të gjithë si një skuadër, ndihem shumë mirë këtu në Shqipëri me thënë të drejtën. Superiorja, e fortë? E di historinë e klubit të Tiranës, para se të vija këtu. Kam folur me shumë veta nga klubi, jam munduar edhe pak në rrjetet sociale që të shoh se çfarë përfaqëson kjo skuadër. Ndihem shumë mirë në Superiore, e di që nuk është e thjeshtë, po e shoh dhe në fushë diçka të tillë. Tani të punojmë dhe të marrim pikët.
Ftesa e kombëtares, Guinea Ekuatoriale? Po e kam marrë një ftesë të shkoj te kombëtarja, por s’mund të them sa mund të rri, jemi në një kompeticion të madh. Nuk e di saktësisht. Mund të rri 2 javë ose më shumë. Por do të iki te kombëtarja, është e vërtetë. Tani isha përqendruar te skuadra, nga nesër do ta kem mendjen te kombëtarja”, tha Ndong.
