Dinamo pavarësisht se luftoi deri në ndeshjen e fundit për të siguruar “Final – Four”, sërish nuk ia dolën të mbyllnin sezonin në top-4. Në 5 javët e fundit kampionat “Blutë” bënë “vetvrasje”, teksa ia dolën të marrin vetëm 1 barazim.
Por humbja që dhemb më shumë është ndaj Egnatias, e cila erdhi nga një gabim i lojtarëve të “Nëndetëses”. Behiratche ngatërroi portat, duke shënuar në të tijën dhe për t’i dhuruar kështu fitoren rrogozhinasve.
Siç duket ky autogol i kushton shtrenjtë mbrojtësit. Ky i fundit ka dalë jashtë planeve të drejtuesve dhe largimi i tij është i pashmangshëm. Mungesa e tij në sfidën me Teutën ra në sy, ku emri i lojtarit nuk figuronte në protokollin e sfidës. Një ndëshkim për lojtarin që konfirmon në një farë mënyrë edhe largimin e tij nga Dinamo.
Kujtojmë se kontrata aktuale e 24-vjeçarit përfundon në qershor të këtij viti, ndërsa u bë pjesë e dinamovitëve në verën e vitit të kaluar, ku nga Tirana kaloi te Dinamo. Gjithsesi nuk ka ende asnjë reagim nga palët dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim.