Elbasani dhe Flamurtari kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi me shifrat 1-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenovic.
“Rezultati është hap fals. Por s’mund të them asgjë për lojtarët pasi ata bënë maksimumin. Sot ishte një lojë e bukur, kishim raste për gol, mund të fitonim 3-1 ose 4-1. Por futbollit s’i dihet kurrë. Një goditje standarde, një gol. Kur ne ishim në kontroll të ndeshjes, kur ishim afër 3 pikëve. Por asgjë s’mund të bënim, ky është futbolli. Nga nesër, do të mendojmë për ndeshjen e radhës.
Unë mundohem të fitoj çdo ndeshje, 4-0 dhe të jem i qetë në pankinë. Edhe Shkodra fitoi sot 1-0. Çdo ndeshje është shumë e fortë. Ne kërkojmë edhe për golin e dytë dhe të tretë, por s’doli. Flamurtari s’është skuadër e keqe, është e fortë me ekuilibër mbrapa. Por sot s’ishin mirë në fazën sulmuese. Nuk e shënuan nga një rast i pastër golin. Pas 1-0 ne nuk qëndruam mbrapa. Por barazuan shpejt dhe ishte vështirë që të fitonim ndeshjen pasi edhe kohë s’kishte shumë.
Pas 1-0 kishim lojtarë të freskët nga pankina. Ne e kishim në dorë, por nga një goditje standarde… s’mund të flas shumë se jam mërzitur. Por duhet të flasim me lojtarët pasi përqendrimi nuk ishte në nivelin tonë”, tha Ivan Gvozdenovic.
