
Dinamo dhe Teuta u ndalën në barazim me shifrat 1-1 në ndeshjen e sotme. Në përfundimin e takimit, trajneri kryeqytetas Ilir Daja doli në prononcim për mediat në fund të takimit.
“Unë do të thoja që sot kemi filluar me një gol që mund të shmangej. Kemi bërë një administrim topi, por nuk kemi pasur marshin e duhur. Para tre ditësh kemi luajtur në Shkodër dhe ishte po i njëjti formacion. Kishim rastet tona, por edhe Teuta kishte rastet e veta. Për atë që u prodhua në lojë mendoj se rezultati më i drejtë ishte barazimi.
Forma e mirë e Dinamos pritet kur të jenë të gjithë lojtarët në dispozicion. Gudiabi që luajti sot akoma nuk është i rikuperuar plotësisht. Karamba nuk mund të vazhdonte më shumë, Qefalija ishte me karton të verdhë dhe rrezikonte. Jam i kënaqur me sakrificën që bëri Gudiabi, sepse nuk mund të jepte më të mirën e tij. Nuk e di ende dëmtimin e Alijit, tani do ta marr vesh se çfarë problemi ka ai. Besoj se mund të jetë një kontraktim më shumë.
Ai nuk ka pushuar sepse ka qenë dhe me Kombëtaren. Nuk më kanë ndodhur ndonjëherë kaq shumë dëmtime sa në këtë periudhë. Shpresojmë që t’i kemi në “Final 4”, kemi luajtur me gjysmë ekipi sepse kemi pasur gjatë gjithë kohës probleme dëmtimet.”, shprehet Daja.