Tirana është mposhtur si “mike” nga Dinamo, në duelin e vlefshëm për javën e 14-t të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përfundoi 6-2 në favor të dinamovitëve. Pas këtij dueli ka folur trajneri i bardhebluve, Ardian Nuhiu.
“Dua të përgëzoj kundërshtarin për fitoren. Personalisht mendoj se 30 minutëshi i parë ishte vendimtar. 2 golat e shpejtë na goditën shumë, pamë edhe gola shumë të bukur, vështirë të mbroheshin. Në momentin që shkuam 3-1 besuam shumë që të përmbysnim. Por sapo filloi pjesa e dytë, erdhi goli i bukur i Vilës, na prishi gjithçka.
Çfarë e pret Tiranën? Duhet të shohim përpara, kemi ndeshjen derbi që është shumë i rëndësishëm. Duhet si skuadër të mobilizohemi, nga stafi futbollistët, tifozët të vijnë të na mbështesin. Në këtë moment kemi nevojë për mbështetjen e gjithësecilit. Padiskutim tifozët na kanë mbështetur gjithmonë, kërkoj më shumë përballë Partizanit, kemi nevojë. Do të shohim një skuadër ndryshe ditën e diel, e dimë sa i rëndësishëm është derbi për ta.
Vazhdimësia e Tiranës, qasja në derbin përballë Partizanit? Pas minutës së 30-të mendoj se skuadra filloi të lëvizte. Kishim përgatitur që të ishim tek zona e dytë, skuadër më agresive. Dy golat e parë ishin nga goditje standarde, njëri nga faull dhe tjetri mjaft i bukur. Na vështirësoi shumë, në momentin kur je i goditur, të mos marrim gola të tillë. Do të kërkoj nga skuadra që ndeshja e radhës të jetë më agresive. Nga kjo ndeshje të marrim mësim”, tha Ardian Nuhiu.
