Flamurtari nuk po kalon aspak një moment të mirë në kampionat dhe situata brenda klubit nuk është ajo e duhura. Vlonjatët ditën e djeshme nëpërmjet një deklarate në rrjetet sociale, njoftuan se për shkak të përplasjes fizike me Cristian Nunez ishte përjashtuar Idriz Batha.
Ndërkohë një tjetër njoftim shumë i rëndësishëm vjen ditën e sotme që ka të bëjë me duelin me Teutën. Përballje kjo që do të luhet ditën e nesërme në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë, në orën 19:30.
Klubi ka nxjerrë në shitje biletat, teksa ka bërë të ditur edhe çmimet e tyre. Kështu çmimi i biletave është 1500 lekë në tribunën qendrore, ndërsa në tribunat e tjera një biletë kushton vetëm 300 lekë. Ndërkohë hyrja për gratë dhe vajzat është falas.
Vlen të theksohet se Flamurtari pas 16 javësh kampionat ndodhet në vendin e parafundit me vetëm 13 pikë, 5 më shumë se Tirana e vendit të fundit. Dhe prej 2 javësh nuk e njohin fitoren në Superiore.
