Superiorja ditën e sotme do të luajë 3 supersfida, që luhen në kuadër të javës së 15-të. Përballje “titanësh” do të shikojmë ditën e sotme, teksa 6 ekipet do të luftojnë “dhëmbë për dhëmbë” mes tyre për fitoren.
Gjithçka do të nisë me duelin mes Egnatia dhe Vorës, përballje kjo që do të startojë në orën 16:00 dhe zhvillohet në “Egnatia Arena”. Rrogozhinasit pas humbjes me Flamurtarin do të synojnë autokritikën në shtëpi, teksa nga krahu tjetër ekip i Arian Bellait do të kërkojë gjithashtu rikthimin te 3 pikët në kampionat.
Kjo përballje do t’i lëshojë vendin 2 supersfidave të tjera që do të luhen paralelisht në të njëjtën orë, 19:00. Në “Elbasan Arena” do të bëjnë llogaritë e kreut të renditjes Elbasani dhe Vllaznia. Aktualisht vetëm 1 pikë i ndan në klasifikim, me verdheblutë që kryesojnë me 26 pikë pas 14 javësh.
Ndërkohë në Vlorë përplasen Flamurtari dhe Dinamo. Vendasit pas triumfit me Egnatian janë më të motivuar se kurrë për një tjetër 3 pikësh përballë ekipit të Ilir Dajës. Nuk do ta kenë aspak të lehtë, pasi dinamovitët janë më të motivuar se kurrë për një tjetër fitore pas triumfit 6-2 ndaj Tiranës në derbi.
