Elbasani - Vllaznia është një nga duelet e javës së 15-të të kampionatit, takim që do të luhet në “Elbasan Arena”. Sfidë e cila është programuar për ditën e hënë, me skuadrat që do të zbresin në fushë në orën 19:00.
Përballë njëra – tjetrës vihen dy ekipet kryesuese të kampionatit, saktësisht vendi i parë dhe i dytë. Verdheblutë udhëheqin me 26 pikë, ndërsa shkodranët me 25 të tilla dhe dueli mes tyre do të vendosë për ekipin që do të komandojë Superioren.
Në këtë takim si elbasanasit ashtu edhe shkodranët vijnë pas barazimeve në javën e 14-të dhe në duelin mes tyre do të zbresin në fushë vetëm për fitoren. Nga përballjet e të kaluarës vëmë re se Vllaznia është pak më shumë dominuese ndaj Elbasanit.
Në 8 duelet mes tyre mes kampionatit dhe Kupës, 2 janë fituar nga skuadra e Edi Martinit, ndërsa në 6 raste të tjera nuk ka patur fitues. Mbetet të shihet se në krahun e cilës skuadrës do të shkojë përballja e së hënës.
