
Skuadra e Partizanit vjen pas një humbje të “hidhur” ndaj Vllaznisë në Superiore, ku në minuat shtesë u “dorëzuan” kundër shkodranëve, e përkthyer në humbjen 1 - 4. “Demat e Kuq” do kenë mundësi të rregullojnë “imazhin” në duelin e së shtunës karshi Elbasanit, një ndeshje mjaft delikate. Para këtij ballafaqimi, ka folur trajneri Mladen Milinkoviç:
Elbasani, kundërshtari i radhës?
Jemi përgatitur si çdo ndeshje tjetër. Çfarë ka ndodhur më parë i përket sezonit të kaluar. Partizani e fitoi përballjen e fundit vitin e kaluar, shpresoj që të njëjtë gjë ta bëj edhe këtë vit.
Ekipet kanë afruar lojtarë të rinj, si Elbasani ashtu edhe ne në skuadrën tonë është një ndeshje e re. Kjo është mënyra se si e shoh unë. Për ne çdo ndeshje e re është e rëndësishme kur ke objektiva dhe në këtë rrugë në çdo ndeshje duhet të marrim 3 pikët.
Partizani vjen pas asaj humbje ndaj Vllaznisë. Si e keni përgatitur ndeshjen me Elbasanin?
Ata vijnë pas një fitore ndaj Dinamos, ndërsa ne vijmë nga një humbje dhe ndoshta psikologjikisht ata i bie të jenë më mirë. Por në futboll çdo ndeshje e radhës të jep mundësinë ta harrosh ndeshjen e kaluar, ndaj nëse arrijmë të fitojmë nesër askush nuk do merret më me humbjen ndaj Vllaznisë por do flasin për ndeshjen e mirë dhe pikët ndaj Elbasanit.
Patjetër që nuk na pëlqeu që humbëm ndeshjen e fundit dhe besoj se e kemi marrë mësimin, por për ne më e rëndësishmja është ndeshja e nesërme.
Gjendja e skuadrës?
Dua të jem shumë i sinqertë. Nuk besoj që deri tani ndokush e di forcën e vërtetë të ekipit tonë, mbase për arsye të ardhjes së disa lojtarëve të rinj. Gjithashtu duam të ndryshojmë pak edhe stilin e lojës, kjo për arsye sepse kemi profil tjetër lojtarësh në krahasim me sezonin e kaluar.
Të jem i sinqertë ndonjëherë në stërvitje duket shumë mirë. Por gjithashtu ka edhe momente që nuk jemi të kënaqur me mënyrën si interpretojmë, por kjo është edhe detyra jonë që lojtarët e rinj që kanë ardhur ti sjellim në formën më të mirë të mundshme. Kjo është gjëja që më bën të jem optimist për të ardhmen, sepse e thënë ndryshe nuk jemi mbase as në 70% të asaj që mund të bëjnë lojtarët.
Do të isha shumë i lumtur që progresi të ndodh javë pas jave sepse shumë gjëra kanë ndodhur. Ndeshjen e fundit humbëm shërbimet e Arafat Doumbia të cilin kur erdhi e kishim llogaritur si një zgjedhje që do të na mbyllte problemet. Patjeter besoj që në të ardhmen do të jemi më mirë, duam që kjo të jetë sa më shpejt, por nuk mund të them që do të jetë pas një jave apo pas një muaji.
Do të ketë ndryshime në sfidën me Elbasanin?
Do të shohim. Patjetër që Vllaznia ishte kundërshtar më i mirë, krijoj më shumë raste. Në futboll shumë gjëra të vogla nuk i kupton për momentin, por pasi përfundon ndeshja e kupton që ato detaje të vogla përcaktojnë edhe ndeshjen. Ne e kemi analizuar ndeshjen, kam folur edhe me ekipin.
Përgjatë 90 minutave linja e mbrojtjes ishte në formën më të mirë, por nëse i shikon 5 minutat, qoftë edhe penalltinë e Bytyçit nëse nuk do kishte ndodhur mbase ndeshja do të ishte barazim. Kjo nuk do të thotë që nuk e pranoj faktin që ata shënuan 3 gola për 3 minuta, por është pak e pamundur për një ekip që pretendon të jetë në majën e klasifikimit. Patjeter që këto detaje mund të përcaktojnë edhe ndeshjen e nesërme, por unë kam besim të plotë te lojtarët e mi që do të japin maksimumin nesër.
Cilat janë përshtypjet tuaja për mesfushorin Arafat?
Të jem i sinqertë ai ka nënshkruar përpara se të vija unë. Kam parë disa video të tij, por në momentin kur erdhi dhe nisi të stërvitet me skuadrën pashë që ka një potencial mjaft të madh. Mbase problemi tij është që nuk komunikon mirë në gjuhën angleze, por kam përshtypjen që është nga ata lojtarë që do të na ndihmoj shumë.
Mjaft i disiplinuar, ka cilësi, teknikisht është shumë mirë, por i duhet pak kohë të përshtatet me futbollin shqiptar sepse ky kampionat është ndryshe në krahasim me kampionatet e tjera. Ai është një djalë i ri dhe patjetër besoj që në të ardhmen do e ndihmoj Partizanin dhe besoj që do vij një moment që të transferohet në një klub edhe më të mirë.