Sulmuesi i Dinamos Dejvi Bregu ka folur për mediat para derbi me Partizanin, e vlefshme për javën e 9-të në Superiore. 30-vjeçari e vlerëson si një kundërshtarë të fortë Partizanin dhe parashikon duel të vështirë:
“Ndeshja në Elbasan? Kemi luajtur gati një vit aty dhe na është bërë si shtëpia jonë. Është derbi i Tiranës dhe mirë do të ishte të luhej në Tiranë, por këto janë gjëra të jashtme dhe ne duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja.
Normalisht, do të ishte më mirë nëse të dyja skuadrat do të rivalizonin për kreun, por mbetet një derbi. Ne jemi përgatitur dhe ata vijnë nga dy rezultate pozitive radhazi. Dhe ne vijmë nga një paraqitje goxha e mirë dhe mbetet ta tregojë fusha gjithçka.
Partizani mbetet një kundërshtar i fortë, pavarësisht se njerëzit mund të thonë që ka pasur krizë më përpara. Nuk i besoj këto zëra, ata kanë lojtarë me cilësi në përbërje. Edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë që janë gati.
Gol në derbi? Do të ishte bukur, por siç e kam thënë gjithmonë, e rëndësishme është që të fitojë skuadra. Kemi një ecuri të mirë dhe do të ishte mirë për ne të kemi vazhdimësi. Si lojtarët e formacionit, edhe ata që janë në stol, janë të gatshëm plotësisht për këtë sfidë.
Ndeshjet e ardhshme janë sfida interesante, me rivalët tanë direkt, por ne duhet të fokusohemi vetëm te përballja e nesërme me Partizanin. Shpresoj shumë ta kalojmë me rezultat pozitiv Partizanin, pastaj do të mendojmë për ndeshjet e tjera”.
